SDSM akuzon VMRO-DPMNE dhe Toshkovskin për një hetim farsë në lidhje me tragjedinë në Koçan, duke pretenduar se drejtuesit aktualë të policisë nuk janë subjekt i hetimit dhe se po mbrohen zyrtarë të caktuar. Sipas tyre, ky është një rast klasik i mbulimit politik dhe se ministri Toshkovski po mbron njerëzit e tij.
Në një deklaratë të ashpër, SDSM shprehet se hetimi i tragjedisë më të madhe në historinë e Maqedonisë është kthyer në një farsë. Ata theksojnë se edhe pas zgjerimit të hetimit, nuk po kërkohet asnjë përgjegjësi nga ata që ishin në detyrë në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet e tjera atë natë fatale, të cilët kishin për detyrë ta parandalonin ngjarjen.
SDSM thekson se në natën e tragjedisë, kishte shefa detyre në OVR Koçan, SVR Shtip dhe BJB, që kishin juridiksion të drejtpërdrejtë. Policia ishte në vendngjarje dhe pa gjithçka: të mitur, piroteknikë, kaos dhe heshti, pa ndërmarrë asnjë veprim. Sot, askush prej tyre nuk është as i dyshuar për ngjarjen.
Partia akuzon VMRO-DPMNE për drejtësi selektive, ku Toshkovski mbron njerëzit e tij dhe ata që ai ka emëruar në funksione. Ata vënë në dukje se leja për piroteknikën, e cila është shkaktari i drejtpërdrejtë i zjarrit, bie nën Ministrinë e Brendshme, duke nënkuptuar se mangësitë e sistemit dhe parandalimit janë tërësisht me Ministrinë e Brendshme dhe udhëheqjen aktuale, nga e cila nuk ka asnjë të dyshuar.
SDSM pyet se përse asnjë nga shefat aktualë të policisë nuk është subjekt i hetimit dhe përse po ndiqen penalisht zyrtarë që nuk ishin fare përgjegjës në atë kohë, dhe jo ata që supozohej të shpëtonin jetë atë natë.
SDSM zotohet se nuk do të lejojë që kjo gënjeshtër të bëhet e vërtetë dhe se do të luftojë për përgjegjësi të plotë dhe jo-selektive, pavarësisht nga funksioni apo anëtarësia partiake. Sipas tyre, drejtësia për Koçanin do të thotë përgjegjësi për të gjithë, veçanërisht për ata që kishin mundësinë të parandalonin, por nuk lëvizën as gishtin.