Një person nga Strumica ndodhet nën hetim nga Prokuroria Themelore Publike në Strumicë për tentativë të kryerjes së krimeve të rënda kundër sigurisë publike.
Sipas informacioneve, i dyshuari kanosi një person tjetër përmes një rrjeti social se do t’ia digjte shtëpinë e fundjavës, dhe më pas tentoi ta realizojë kërcënimin.
Ngjarja ka ndodhur në lokacionin e digës së Vodoçës, ku i dyshuari tentoi të ndezë një zjarr dhe të shkaktojë dëme të mëdha materiale.
Me një pishtar të ndezur të bërë nga letra dhe tekstil, ai i vuri flakën trarëve të tendës, të cilët filluan të nxjerrin tym dhe të digjen.
Kjo veprimtari krijoi rrezik zjarri jo vetëm për objektin, por edhe për disa shtëpi të tjera të fundjavës si dhe bimësi të ulët dhe të lartë në afërsi.
Prokurori publik ka paraqitur një propozim në gjykatën e procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes ose kryerjes së veprës.