Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 35-vjeçari, shtetas turk, i dyshuar për kryerjen e veprës penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën “Metropolit Teodosij Gologanov” në Shkup, afër Klubit të Deputetëve. I dyshuari, me dashje, ka tentuar t’i marrë jetën një tjetër shtetasi turk. Pas një mosmarrëveshjeje verbale paraprake, ata kanë filluar të grinden fizikisht dhe kanë shkëmbyer goditje, duke bërë që viktima të rrëzohet e plagosur në tokë.
Në atë moment, i dyshuari ka marrë një kapak metalik pusi dhe e ka goditur viktimën në kokë në mënyrë të përsëritur. Edhe pasi viktima ishte shtrirë pa ndjenja në tokë, i dyshuari ka vazhduar ta godasë me shkelma në kokë dhe trup.
Madje, edhe kur oficerët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ai ka refuzuar të ndalojë së godituri, derisa është neutralizuar. Kjo ka shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës, i cili është hospitalizuar në Klinikën e Neurokirurgjisë në gjendje të rrezikshme për jetën.
Duke qenë se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes së të dyshuarit, pasi që ai nuk ka regjistruar vendbanim në vend, mundësinë e ndikimit të dëshmitarëve në procedurë, ose përsëritjen e veprës penale, prokurori publik ka paraqitur propozim te gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit.