Gjykata Penale në Shkup refuzoi propozimin e biznesmenit Asmir Jahoski për lirimin nga paraburgimi me garanci prej një milion euro, duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ai mund të pengojë hetimin.
Këshilli Penal i Departamentit për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Gjykatën Themelore Penale Shkup vendosi të refuzojë propozimin e A.J., të dyshuar për pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale. Vendimi u mor pas shqyrtimit të dosjeve të lëndës dhe vlerësimit të rrethanave.
Sipas gjykatës, pavarësisht mendimit pozitiv të prokurorit publik, ekzistojnë ende rrethana që justifikojnë masën e paraburgimit. Kjo përfshin rrezikun që Jahoski të ndikojë në dëshmitarë, si dhe të fshehë, falsifikojë ose shkatërrojë provat e veprës penale, duke qenë se procedura hetimore është ende në vazhdim.
Palët kanë të drejtë të apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit Shkup brenda 3 ditëve nga marrja e tij.
Asmir Jahoski është pjesë e një hetimi ndaj 13 personave dhe një kompanie për abuzime dhe pastrim parash në furnizimin me mazut me cilësi të dyshimtë për termocentralet shtetërore.