Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka anuluar nenet 17 dhe 18 të Ligjit për Ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Vendimi, i marrë me shumicë votash, konfirmon shkeljet materiale dhe formale të dispozitave ligjore.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një deklaratë për media, shpjegoi se nenet e anuluara shkelin pluralizmin politik, një vlerë themelore e rendit kushtetues. Ai theksoi se shteti ka detyrimin të krijojë kushte të barabarta dhe efektive për shprehjen e mendimit politik nga të gjithë, jo vetëm nga partitë politike.
Gjykata vlerësoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk ishin teknike, por thelbësore, duke ndryshuar kushtet për pjesëmarrjen e qytetarëve si subjekte zgjedhore. Kjo është bërë në një procedurë të shkurtuar, jo transparente dhe pa debat publik, duke lënë përshtypjen se ndryshimet ishin bërë për partitë politike me qëllim zvogëlimin e numrit të kandidatëve të pavarur.
Kostadinovski sqaroi se vendimi ka efekt pro futuro, duke filluar nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare, dhe nuk vë në pikëpyetje zgjedhjet e mëparshme. Ai theksoi se legjislatori duhet të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur për të plotësuar boshllëkun ligjor dhe paralajmëroi se mosveprimi do të shkelte liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe pluralizmin politik.