Shkup – Deponia e Drisllës ende vazhdon të tymosë, por autoritetet po ndërmarrin masa për ta zbutur situatën. Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Stojançe Angellov, informoi se një ajroplan special po vepron në terren duke përdorur një shkumë të posaçme për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Angellov siguroi se intensiteti i tymit është më i ulët se dje dhe pret që situata të përmirësohet plotësisht gjatë orëve të mbrëmjes.
Ai shpjegoi se deponitë janë të vështira për t’u shuar me ujë për shkak të proceseve kimike dhe biologjike që ndodhin brenda tyre, duke shkaktuar formimin e gazrave të ndezshëm.
Ndërkohë, Angellov njoftoi se në deponinë e Vardarishtës nuk ka as djegie dhe as tym. Ai theksoi se kjo deponi do të sigurohet plotësisht dhe tashmë është angazhuar një agjenci sigurie e cila është në terren.
Një plan i detajuar do të hartohet për të parandaluar hyrjet e paautorizuara dhe tentativat për ri-ndezje, duke qenë se ekzistojnë dyshime se si Vardarishte ashtu edhe Drisla u vunë flakën qëllimisht.
Angellov rikujtoi se tashmë ka një kallëzim penal dhe masa paraburgimi për tre persona që përdornin deponi ilegale dhe që blinin materiale nga ata që digjnin kabllot për të nxjerrë metalin. Ai shprehu bindjen se me ndalimin e tyre, të gjithë ata që kryenin këtë aktivitet do të dekurajohen.