LSDM ka dërguar një mesazh të fortë dhe të drejtpërdrejtë ndaj prokurorit publik, Ljupço Kocevski, duke ngritur shqetësime serioze mbi pavarësinë dhe profesionalizmin e tij.
Sipas Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, ky mesazh i drejtpërdrejtë nga deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski, vjen si një tentativë e dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe për të mbrojtur interesat e përbashkëta të LSDM-së dhe BDI-së.
Micevski thekson se LSDM po i bën të qartë Ljupço Kocevskit se nuk duhet të mendojë të tërhiqet nga roli i tij si “mbrojtës” i tyre. Nëpërmjet mosveprimit, heshtjes dhe bllokimit të çdo veprimi ligjor që do të ndikonte në rrjetin e tyre, ai duhet të vazhdojë të mbrojë krimet e tyre.
Kjo “mbështetje” politike nga LSDM dhe BDI, sipas Micevskit, e vendos Kocevskin në pozitën e simbolit të mbrojtjes së strukturave kriminale dhe skemave korruptive që kanë shkatërruar Maqedoninë dhe kanë minuar besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Micevski ngre pyetjen nëse ky “urdhër” i LSDM-së është një mesazh mbështetjeje apo kërcënimi për Kocevskin. Një gjë është e qartë: LSDM dhe BDI po bëjnë një përpjekje të fundit dhe të dëshpëruar për ta shpëtuar Kocevskin, pasi kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur krimet e tyre.
Në të kaluarën, Micevski thotë se LSDM ka manipuluar dhe maskuar qëllimet e tyre, por refuzimi i tyre për të votuar pro interpelancës së Kocevskit tregon se asnjë zyrtar i LSDM-së nuk ndiqet penalisht nga prokuroria e udhëhequr nga Kocevski, madje edhe një vit pasi ata kanë kaluar në opozitë. Ai thekson se koha e vjetër ka mbaruar dhe se drejtësia dhe paanshmëria do të triumfojnë, dhe kriminelët do të marrin atë që meritojnë.