Komuna e Karposhit ka ndarë 1,440,000 denarë për blerjen e aparateve të reja të shuarjes së zjarrit, të cilat do të shpërndahen në të gjitha shkollat fillore dhe kopshtet në territorin e Karposhit.
Kryetari i Komunës, Stevço Jakimovski, vizitoi sot shkollën fillore “Hristijan Todorovski Karposh”, ku u njoh nga afër me situatën aktuale të sigurisë në këtë shkollë.
Jakimovski theksoi se gjashtë muaj para tragjedisë në Koçan, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim alarmoi institucionin se kompania që mirëmban aparatet e shuarjes së zjarrit në Karposh, në shkolla dhe kopshte, po abuzon rëndë me faktin që nuk i kontrollon aparatet, por vetëm i merr dhe i kthen, duke ndërruar vetëm kartelat e kontrollit.
Ai shtoi se Drejtoria e ka rikujtuar Komunën se është obligim ligjor që në ndërtesa të mos ketë aparate shuarëse më të vjetra se pesë vjet. Pas një analize të plotë, është konstatuar se në disa shkolla ka aparate shuarëse që nga viti 1955.
Kreu i Komunës paralajmëroi për rrezikun potencial dhe pasojat e padëshiruara që mund të kishin lindur nga kjo situatë. Ai shprehu shqetësimin se nëse do të kishte ndodhur ndonjë incident, situata e mbrojtjes nga zjarri ishte plotësisht e paligjshme dhe kompania e zgjedhur çdo vit nuk po i vërente mangësitë në sistemin e mbrojtjes nga zjarri.
Për këtë arsye, Komuna e Karposhit ka ndarë rreth 55 mijë euro për blerjen e 453 aparateve të reja shuarëse S-9 dhe CO2, të cilat përdoren për të shuar zjarret e shkaktuara nga qarku i shkurtër në rrjetin elektrik.
Jakimovski shprehu mirënjohje të thellë për Ambasadën Kineze, e cila dhuroi 98 aparate shuarëse për kopshtet dhe shkollat në territorin e Karposhit.
Gjithashtu, ai shtoi se janë ndarë edhe 1,700,000 denarë për inspektimin dhe rikonstruksionin e rrjetit hidrant në të gjitha shkollat dhe kopshtet, pasi në disa prej tyre instalimi i tubacioneve nuk është adekuat. Ai njoftoi se rikonstruksionet e nevojshme do të kryhen gjatë kësaj vere, dhe diku në shtator, të gjitha shkollat dhe kopshtet do të jenë plotësisht të pajisura me pajisje adekuate për mbrojtjen nga zjarri.