Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka kërkuar sot dorëheqjen e Ministrit aktual të Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, duke e akuzuar për abuzim me resurset shtetërore për fushatë elektorale dhe për rrezikim të shëndetit të qytetarëve.
Osmani theksoi se Mexhiti nuk dha dorëheqje kur hyri në garën zgjedhore, duke mbetur ministër me kapacitet të plotë dhe buxhet në dispozicion. Sipas Osmanit, kjo është thellësisht imorale dhe e padrejtë.
“Ai po garon me pagën e ministrit dhe po bën fushatë në Çair me resurset e ministrisë,” paralajmëroi Osmani.
Ai shtoi se ekziston një arsye edhe më serioze për dorëheqje, paaftësia për t’u marrë me krizën mjedisore dhe shëndetësore që ndodhi në Trubarë, kur Shkupi u mbulua nga tymi toksik nga djegia e plastikës dhe kabllove.
“Duke mos e bërë punën për të cilën paguhet nga qytetarët, dhe duke u përpjekur të mbijetojë politikisht, ai po rrezikon shëndetin e njerëzve, dhe jo vetëm përkohësisht, por me pasoja afatgjata,” theksoi Osmani.
Në një situatë kur publiku priste me të drejtë një reagim, udhëzime dhe informacione nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti nuk u shfaq as para publikut dhe as në terren, ndërsa qytetarët në Trubarë u desh të evakuoheshin natën vonë, dhe i gjithë qyteti po mbyste në tym helmues.
“Kjo është arsyeja pse kjo është gjithashtu një thirrje për dorëheqjen e tij,” përfundoi Osmani. “Ai ka treguar se nuk po e bën si duhet punën e tij, po rrezikon shëndetin e njerëzve dhe në të njëjtën kohë ka abuzuar me resurset shtetërore për një fushatë zgjedhore.”