Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim dhe indinjatë lidhur me vendimin e Qeverisë për të zvogëluar numrin e këshilltarëve në komunat, duke e cilësuar atë si diskriminues dhe të dëmshëm për komunat me shumicë shqiptare.
Sipas BDI-së, ky vendim është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe parimet themelore të përfaqësimit të barabartë dhe të drejtës për pjesëmarrje. Ata kanë njoftuar se kanë iniciuar një procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.
Partia thekson se qeveria në javën e parë të mandatit të saj, ka ndërmarrë veprime të paligjshme dhe jokushtetuese, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme metodologjinë për llogaritjen e përqindjes së popullsisë, duke përjashtuar “jo-rezidentët”, që në praktikë nënkupton përjashtimin e diasporës. Si rezultat, sipas BDI-së, përqindja e shqiptarëve në vend është ulur artificialisht nga 29.5%, sipas regjistrimit të vitit 2021, në 24.3%.
BDI argumenton se ky manipulim statistikor është përdorur menjëherë në formulën e balancuesit, duke reduktuar shqiptarët me 5.2%, dhe më pas duke deformuar përfaqësimin e tyre në më shumë se 20 komuna, duke zvogëluar numrin e këshilltarëve në këto njësi të vetëqeverisjes lokale. Sipas tyre ky vendim përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 34 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili përcakton se numri i këshilltarëve përcaktohet në bazë të numrit të banorëve, dhe jo në bazë të statusit të tyre të rezidencës.
BDI kërkon nga Qeveria që të anulojë menjëherë vendimin jokushtetues dhe të paligjshëm, të rivendosë numrin e këshilltarëve sipas të dhënave reale të regjistrimit dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit. Partia paralajmëron se nëse Qeveria nuk e korrigjon këtë padrejtësi, atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi të gjithë ata që, përmes heshtjes ose bashkëpunimit të tyre, legjitimojnë diskriminimin institucional kundër qytetarëve dhe përjashtimin e diasporës nga jeta publike. Në të kundërt, BDI thotë se do të detyrohet të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale për të anuluar këtë vendim dhe për të mbrojtur të drejtat legjitime të komunave dhe qytetarëve të saj.