Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan dhe mënyrën se si institucionet e drejtësisë po e trajtojnë këtë proces. Sipas BDI-së, procesi po zhvillohet nën presion të qartë politik dhe me qëllim të zhvendosjes së fajit te të tjerët, në mënyrë që të mbrohen njerëzit e tyre në pushtet.
BDI-ja ka ngritur shqetësime rreth informacioneve se një prokuror publik, i cili ishte pjesë e rastit, u tërhoq për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me kualifikimin e krimit dhe veçanërisht për shkak të presionit politik nga parti në Qeveri. Partia thekson se në një shtet normal, kjo do të ishte një alarm për të gjithë shoqërinë, ndërsa në realitetin aktual, heshtja e institucioneve flet më shumë se çdo vendim.
Vendimi për lirimin e pothuajse të gjithë të ndaluarve, me përjashtim të Kreshnik Bektashit, i cili mbetet në paraburgim, sipas BDI-së, është shqetësues. Bektashi, sipas BDI-së, ka qenë prej kohësh shënjestër e hakmarrjes politike. Partia e quan këtë jo më një rast individual, por një model të rrezikshëm të drejtësisë selektive, e cila po bëhet një mjet për presion politik dhe eliminim.
BDI i bën thirrje Prokurorisë që publikisht dhe menjëherë t’u përgjigjet qytetarëve në lidhje me pyetjet e mëposhtme:
- A është e vërtetë se një prokuror u tërhoq për shkak të një hetimi të motivuar politikisht?
- A do të lejojë Prokuroria që të bëhet një instrument për hakmarrje politike ndaj opozitës?
- Cilat janë kriteret sipas të cilave disa lirohen dhe të tjerët mbeten në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe me një hetim të paqartë?
BDI-ja thekson se kjo nuk është drejtësi, por politikë e veshur me petkun e drejtësisë. Partia kërkon që tragjedia në Koçan të mos përdoret për propagandë politike dhe fshehje të përgjegjësisë së strukturave qeverisëse. BDI siguron se nuk mbron individë, por mbron drejtësinë si një parim, i barabartë për të gjithë.