Daily Events News Network_Site Logo_Original Size_2025

Ngjarjet ditore nga Maqedonia e Veriut

Lajmet më të fundit nga Maqedonia e Veriut në Shqip


Arrestohet kunati i Zoran Vasilevski-Facit për zjarrvënie

Todor Mitrovikj, kunati i gazetarit të ndjerë Zoran Vasilevski Faci, është arrestuar pasi dyshohet se ka vënë zjarrin në banesën ku jetonte motra e Vasilevskit me dy nipërit, si dhe në shtëpinë që gazetari kishte në Katlanovë. Incidenti ndodhi të martën në mëngjes dhe fatmirësisht u shmang një tragjedi e mundshme, pasi zjarri mund të kishte rrezikuar jetën e banorëve të ndërtesës në Novo Lisice të Shkupit.

Sipas Prokurorisë Publike, Mitrovikj dyshohet se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke vënë zjarr në hyrje të shtëpisë në Katlanovë dhe të banesës në Shkup, të cilat janë në pronësi të ish-bashkëshortes së tij, të cilën e kishte kërcënuar edhe më parë.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, duke argumentuar se rrethanat e kryerjes së veprës penale karakterizohen nga llogaritje e theksuar dhe shkallë e lartë e përgjegjësisë penale, si dhe ekziston rreziku real i arratisjes.

Zyra Themelore e Prokurorisë Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër personit të dyshuar për veprën penale – Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288 paragrafi 1 i Kodit Penal. Sipas prokurorisë, i dyshuari, më 2 maj në orët e mëngjesit, në një shtëpi fundjavë në fshatin Katlanovë dhe në një apartament në një ndërtesë në Shkup, të cilat janë në pronësi të gruas së tij me të cilën ishte i ndarë dhe me të cilën ishte në proces divorci, ka shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën e njerëzve me anë të zjarrit.