Një lejlek i ri u torturua mizorisht nga një grup fëmijësh në Gjevgjeli, duke shkaktuar reagime të ashpra nga organizata për mbrojtjen e kafshëve, Animal Mundi. Sipas dëshmitarëve okularë dhe pamjeve të sigurisë, akti i dhunës ishte i qëllimshëm dhe rezultoi në lëndime të rënda për lejlekun.
Animal Mundi po kërkon një hetim të menjëhershëm nga autoritetet kompetente. Ata theksojnë rëndësinë e trajtimit të dhunës ndaj kafshëve si një problem serioz shoqëror dhe patologji psikologjike. Organizata bën thirrje për vlerësim psikologjik dhe punë me fëmijët e përfshirë, duke i konsideruar ata si viktima të neglizhencës shoqërore dhe një rrezik potencial nëse nuk trajtohen.
Animal Mundi kërkon gjithashtu përgjegjësi nga prindërit ose kujdestarët e fëmijëve, aktivizimin e të gjitha mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e kafshëve dhe dënimin publik të ngjarjes nga institucionet arsimore dhe vetëqeverisja lokale.
“Nuk ka justifikim për dhunën, as justifikim për heshtjen,” deklaroi Animal Mundi, duke theksuar nevojën për të parandaluar, dënuar dhe sanksionuar çdo formë dhune. Ata paralajmëruan se kush abuzon me një kafshë sot, do të lëndojë një person nesër.