Ambasada e Parë Botërore e Fëmijëve “Megjashi” shënon 33 vjet të ekzistencës së saj, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe ndërtimin e paqes. Me këtë rast, organizata ka njoftuar promovimin e disa aktiviteteve dhe materialeve të reja të rëndësishme, duke përfshirë një faqe të re interneti dhe një dokumentar filmik.
Dokumentari “30 Vjet Megjashi” ofron një dëshmi të dokumentuar të zhvillimit, arritjeve dhe ndikimit të organizatës gjatë viteve. Gjithashtu, janë publikuar edhe dy video të shkurtra që tregojnë historinë dhe punën e “Megjashit”: “Si filloi historia e Megjashit” dhe “Si ndikoi Megjashi në shoqëri”.
Përveç materialeve audiovizuale, është botuar edhe monografia “30 Vjet Megjashi”, një botim që pasqyron historinë, aktivitetet dhe rezultatet e organizatës gjatë tre dekadave të fundit.
“Megjashi” synon që përmes këtyre materialeve promovuese jo vetëm të dokumentojë punën e saj aktive gjatë dekadave, por edhe të forcojë misionin e saj për të inkurajuar përgjegjësinë, edukuar dhe aktivizuar publikun e gjerë në mbështetje të fëmijëve, duke rikujtuar rëndësinë e edukimit për paqe dhe ndërtimin e një kulture të paqes që në moshë të hershme.