Një 33-vjeçar nga Shkupi ka goditur me motoçikletë një 10-vjeçare në rrugën “John Kennedy” përpara shkollës fillore “Vasil Glavinov”. Vajza ka pësuar lëndime të rënda trupore, duke përfshirë një frakturë. Ngjarja ka ndodhur derisa vajza po kalonte rrugën në një vendkalim të shënuar për këmbësorë.
Sipas Prokurorisë Themelore Publike Shkup, drejtuesi i motoçikletës nuk kishte leje drejtimi për atë kategori automjeti dhe nuk mbante kaskë mbrojtëse.
Në vend që të ndalonte dhe t’u jepte përparësi këmbësorëve, drejtuesi goditi trupin e vajzës me pjesën e përparme të djathtë të motoçikletës.
Prokuroria ka ngritur akuza për rrezikim të trafikut publik dhe rrezikim të shëndetit të njerëzve.
Për të siguruar praninë e të dyshuarit gjatë procedurës, prokurori publik ka propozuar masa paraprake, duke përfshirë ndalesën e largimit nga vendbanimi, detyrimin për t’u raportuar periodikisht në gjykatë dhe konfiskimin e përkohshëm të dokumentit të udhëtimit. Gjykata ka pranuar masat e propozuara.