Një 16-vjeçar ka humbur jetën në një aksident tragjik të ndodhur në rrugën “Cvetan Dimov” në Çair, dy orë pas mesnate. Sipas informacioneve, i riu po drejtonte një motoçikletë kur u përplas me një skuter elektrik të drejtuar nga një 14-vjeçar.
Motorçiklisti ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Ekipi mjekësor i Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen.
Ndërkohë, 14-vjeçari që drejtonte skuterin elektrik ka marrë lëndime trupore. Ai është dërguar në Qendrën Emergjente në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza”, ku i janë konfirmuar lëndimet.
Një ekip policor dhe një prokuror publik kanë kryer hetimet në vendin e aksidentit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 16-vjeçarit është dërguar për obduksion. Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.