Koalicioni “VLEN” akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se po punon kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe po i hap rrugë fitores së thellë të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e ardhshme. Sipas “VLEN”, veprimet e BDI-së, siç i cilësojnë ato, e forcojnë VMRO-DPMNE-në.
Nga “VLEN” theksojnë se BDI dhe LSDM nuk kanë të drejtë të ankohen për perspektivat e Bashkimit Evropian derisa nuk ka një shumicë prej dy të tretave në parlament pa deputetët e VMRO-DPMNE-së. Sipas tyre, BDI jo vetëm që lejoi VMRO-DPMNE-në të fitojë 58 mandate në zgjedhjet e kaluara parlamentare për shkak të sjelljes së tyre kriminale në qeverinë e LSDM-së, por tani po i forcojnë ata edhe më shumë me narrativat e rreme dhe manipuluese rreth gjoja de-shqiptarizimit.
“VLEN” thekson se shqiptarët nuk janë naivë për t’u besuar gënjeshtrave të BDI-së dhe se ata po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare për të siguruar një “Qeveri Përzhino” në të cilën Ministria e Brendshme do t’i jepet kontrolluesit të tyre politik LSDM. Sipas tyre, Ahmeti sheh një shans në atë periudhë prej 100 ditësh për të shkatërruar provat e korrupsionit për ish-zyrtarët e tij.
Sipas “VLEN”, BDI nuk dëshiron të shkojë vetëm në zgjedhje lokale nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse për 22 vjet kanë shkuar në zgjedhje nga pozita e pushtetit, me abuzime të Ministrisë së Brendshme, me shantazhe ndaj të punësuarve në administratë, kanë blerë vota me para publike, kanë mbushur kutitë e votimit dhe kanë falsifikuar vullnetin e votuesve. Nga “VLEN” shtojnë se tani BDI është e frikësuar.
Koalicioni “VLEN” thekson se do ta mposhtë BDI-në në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike lokale dhe se qytetarët do t’i kthejnë ata në realitet. Sipas tyre, BDI më në fund do të përballet me një realitet shumë të ashpër dhe pa një program dhe reformë të personelit, ata nuk kanë çfarë t’u kërkojnë votuesve.