Familjet e viktimave të zjarrit tragjik në Koçan do të protestojnë nesër në Shkup, në një marsh të quajtur “Marsh Për Engjëjt”. Qëllimi i protestës është të kërkojnë përgjigje për vdekjen e fëmijëve të tyre dhe të shprehin pakënaqësinë ndaj institucioneve.
Marshi do të fillojë përpara Prokurorisë në Shkup në orën 12:05, si simbol i reagimit të vonuar të institucioneve. Më pas, protestuesit do të vazhdojnë drejt Sheshit “Maqedonia” dhe do të përfundojnë përpara Parlamentit.
Familjet e viktimave kanë theksuar se meritojnë përgjigje dhe nuk e kuptojnë se si ekspertët ligjorë ndalojnë dhe më pas lirojnë persona. Ata shprehen se besimi i tyre në punën e institucioneve është tronditur plotësisht nga kjo procedurë ligjore e “kap dhe lësho”, pa një shpjegim të qartë.
Ata bëjnë thirrje për pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë në këtë marsh, duke theksuar se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për vdekjen e dhunshme të fëmijëve të tyre.