Koalicioni “Vlen” pritet të mbajë një takim të rëndësishëm sot në orën 14:00, ku do të diskutohet e ardhmja e bashkëpunimit me Aleancën për Shqiptarët e Arben Taravarit. Takimi vjen pas deklaratës së Taravarit se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale për këshilltarë, ndonëse mbetet pjesë e koalicionit “Vlen”.
Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, pjesë e koalicionit, konfirmoi se pas takimit, publiku do të informohet për qëndrimin e “Vlen”. Ai u përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se do të ketë një deklaratë zyrtare pas përfundimit të diskutimeve.
Arben Taravari, Presidenti i Aleancës për Shqiptarët, deklaroi se partia e tij do të mbetet në koalicion përderisa nuk përjashtohet. Ai shtoi se do të veprojnë në mënyrë adekuate nëse ndodh një gjë e tillë.
Sa i përket kandidatëve për kryetarë komunash, Taravari theksoi se ende nuk është marrë asnjë vendim. Kjo çështje pritet të jetë pjesë e diskutimeve të ardhshme brenda koalicionit.