Shkup, Maqedoni e Veriut – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mejiti, ka theksuar angazhimin e Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar përpjekjet në harmonizimin e legjislacionit dhe sistemeve shtetërore me ligjet dhe politikat e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit dhe klimës.
Gjatë një takimi pune me Michael O’Flaherty, Komisioner për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Mejiti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, e cila sipas tij, mbetet donatori kryesor në sektorin e mjedisit në Maqedoninë e Veriut.
BE-ja po mbështet investime të rëndësishme në burime të rinovueshme të energjisë, siç janë fermat solare dhe të erës, tranzicionin nga qymyri, projektet për lidhjen e sistemit të gazit me Kosovën dhe Serbinë, si dhe projektet për menaxhimin e mbeturinave dhe ujërave të zeza.
Ndër projektet kryesore të mbështetura nga BE-ja janë mbyllja e deponive të egra, ndërtimi i sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave në pesë rajone dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Shkup.
Megjithatë, Mejiti vuri në dukje se Maqedonia e Veriut mund të kërkojë periudha tranzitore në procesin e harmonizimit me legjislacionin evropian, veçanërisht për Kapitullin 27, i cili konsiderohet si një nga më sfiduesit dhe të kushtueshmit për vendet që negociojnë me BE-në.
Kapitulli 27 është pjesë e Cluster 4, që përfshin fusha të tilla si infrastruktura rrugore, digjitalizimi, burimet e rinovueshme të energjisë dhe mbrojtja e burimeve natyrore.
Për Maqedoninë e Veriut, sfidat më të mëdha për Kapitullin 27 mbeten në fushën e menaxhimit të ujit dhe mbeturinave. Plani i Veprimit për Zbatimin e Direktivave për Ujërat e Zeza dhe Ujin e Pijshëm parashikon një kosto totale prej përafërsisht 1.2 miliardë euro dhe një afat zbatimi deri në vitin 2041.
Këto fonde janë të destinuara për ndërtimin e 87 impiantëve të trajtimit, 16 prej të cilëve do të kenë trajtim terciar të avancuar, ndërsa sistemi i menaxhimit të mbeturinave kërkon afërsisht 300 milionë euro.