Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar në parim katër ligje kyçe që synojnë dixitalizimin e shërbimeve shtetërore dhe atyre ndaj qytetarëve. Vendimi u mor dje në Komisionin për Transport dhe Transformim Dixhital.
Deputeti i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Toni Jarevski, njoftoi se këto ligje përfshijnë Ligjin për Komunikimet Elektronike, Ligjin për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve Informatike, Ligjin për Materialin Arkivor, si dhe Ligjin për Dokumentet Elektronike dhe Identifikimin Elektronik.
Sipas Jarevski, këto ligje do t’i japin qeverisë mundësinë të realizojë një transformim të thellë të marrëdhënieve midis qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Qytetarët do të kenë mundësinë të shkarkojnë dhe printojnë dokumente nga shtëpitë e tyre, të cilat do të kenë vlefshmëri të njëjtë ligjore si ato të lëshuara në sportele. Këto dokumente do të jenë të pajisura me një kod QR si element sigurie dhe provë autenticiteti.
Ligjet e reja parashikojnë gjithashtu mbikëqyrje të plotë inspektuese mbi shërbimet dixhitale. Inspektoret, të cilët do të veprojnë nën Ministrinë e re të Dixhitalizimit ose për transformimin digjital, do të kenë 22 detyrime të përcaktuara qartë.
Jarevski theksoi se gjobat e parashikuara për institucionet që nuk do të pranojnë dokumente dixhitale janë një sinjal i qartë se reforma digjitale nuk është një opsion, por një detyrim. Ai shtoi se do të vijojë një debat publik mbi këto ligje, me qëllim të përfshirjes së ekspertëve dhe publikut profesional në këtë sipërmarrje shtetërore të rëndësishme.