Koçan – Prindërit e viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan kanë shprehur revoltën e thellë dhe pikëllimin e tyre për shkak të lirimit të personave të arrestuar, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e fëmijëve të tyre. Ata e kanë bërë këtë gjatë marshimit protestues të mbajtur sot në Koçan.
Marshimi, i cili u mbajt nën moton “Reagim i Vonuar”, filloi në orën 12:05 nga Parku i Revolucionit dhe vazhdoi drejt Qendrës Tregtare, ndërtesës së komunës, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Koçan.
Julija Zlatkova, nëna e njërit prej viktimave, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë derisa të vihet drejtësia në vend. Ajo theksoi se prindërit do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për të gjithë ata që humbën jetën ose u lënduan më 16 mars.
Para ndërtesës së komunës, prindërit u shprehën se do të monitorojnë nga afër punën e shërbimeve kompetente të inspektimit. Kryetari aktual i komunës, Venko Krstevski, u ofroi atyre mbështetje të plotë, duke theksuar se nuk do të jenë vetëm në kërkim të drejtësisë.
Para Stacionit Policor, familjarët e viktimave pyetën pse janë liruar oficerët e policisë që ishin të përfshirë në hetimin e Prokurorisë.
Dhimbjen dhe revoltin e tyre, prindërit e viktimave të zjarrit tragjik e shprehën edhe para Gjykatës dhe Prokurorisë, secili prej tyre duke përmendur emrin e fëmijës së tyre dhe planet që kishin për të ardhmen.
Marshimi protestues përfundoi në Parkun e Revolucionit, ku të pranishmit njoftuan se do të mbahet çdo të shtunë derisa të marrin drejtësinë që kërkojnë për të dashurit e tyre.