Tre persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi mbrëmë në rrugën Kërçovë-Gostivar. Aksidenti shkaktoi ndërprerje të trafikut duke filluar nga ora 21:00.
Sipas zëdhënësit të SPB Ohër, Stefan Dimoski, Departamenti i Policisë së Kërçovës raportoi se aksidenti ndodhi dje në orën 20:55 në rrugën Kërçovë-Gostivar, midis Kërçovës dhe fshatit Trapçin Doll, dhe përfshiu tre automjete.
Nga informacionet fillestare, konfirmohet se tre persona kanë ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Tetë personat e plagosur janë dërguar në spitalin e Kërçovës, ndërsa disa janë transferuar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup për trajtim të mëtejshëm.