Mbi 3000 punëtorë të kulturës në Maqedoninë e Veriut nuk i kanë marrë pagat e muajit mars, duke shkaktuar shqetësime të mëdha në prag të festës së Pashkës. Sipas partisë Levica, Ministria e Kulturës po sillet sikur nuk ka portofol apo ministër në krye, ndërsa ajo e Financave pret udhëzime “nga lart”. Kjo situatë, sipas tyre, po përsëritet për të katërtin vit radhazi, duke marrë forma nga komedia në tragjedi.
Levica thekson se abuzimi që po u bëhet punëtorëve të kulturës, veçanërisht pas protestave të planifikuara që Sindikata e Kulturës i ngriu për shkak të një shkrese nga Ministria e Kulturës, është një tregues i qartë i qëndrimit hipokrit dhe indiferent të qeverisë ndaj kulturës, e cila është fytyra e një kombi.
Partia bën thirrje tek të gjitha palët e interesuara dhe ministritë përgjegjëse që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të mos i lënë mbi 3000 punëtorë të kulturës me tryeza të zbrazëta në ditët e festës.