Shkup – Vardar ka fituar Kupën e Maqedonisë për sezonin 2024/25, duke triumfuar me rezultat 2-0 kundër Struga TL në finale. Kjo është Kupa e gjashtë në historinë e klubit për Vardarin, pas një pritjeje 18-vjeçare.
Sulmuesi i ri, Talevski, ishte heroi i Vardarit, duke shënuar të dy golat në minutat 26 dhe 48.
Struga pati mundësi për të shënuar, por nuk arriti t’i shfrytëzojë ato. Ukpa, Radeski dhe Krivanjeva humbën rastet më të mira kur rezultati ishte 0:0. Domingo goditi shtyllën pas golit të parë të Talevskit.
Trajneri i Vardarit, Goce Sedloski, fitoi trofeun e tij të parë në Kupë, ndërsa kolegu i tij Ilcho Gjorgjioski nuk arriti të fitojë trofeun e Kupës në finalen e tij të dytë.
Me këtë fitore, Vardar siguroi një vend në kualifikimet e Conference League.