Shkup – Kuvendi ka miratuar Ligjin e ri për Angazhimin e Përkohshëm dhe Sezonal të Personave, duke u mundësuar punëdhënësve të regjistrojnë punonjësit e tyre sezonalë ose me afat të caktuar. Sipas ligjit të ri, punonjësit do të kenë mundësinë të marrin kontribute pensionale dhe shëndetësore për punën e tyre, ndërsa shteti do të arkëtojë detyrimet që aktualisht janë në ekonominë gri.
Bojan Stojanoski, deputet nga Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së, theksoi se personat e angazhuar sipas këtij ligji nuk do të humbasin të drejtat e fituara tashmë, siç janë ndihma sociale, përfitimet e papunësisë, pensionet familjare ose të pleqërisë, si dhe bursat ose e drejta e studimeve të rregullta.
Kategoria e qytetarëve që përfshihen në këtë ligj përfshin pensionistët, studentët, punëtorët sezonalë (veçanërisht ata në bujqësi, frutikulturë, hoteleri dhe shërbime), të papunët, si dhe të punësuarit, personat nën moshën 18 vjeç që plotësojnë kushtet për punë, dhe të huajt me qëndrim të rregulluar.
Ligji parasheh një platformë softuerike, një regjistër dixhital, që do të lidhë punëdhënësin, punëtorin dhe institucionet, duke krijuar kushte për zbatimin efikas të ligjit. Platforma do të financohet me një grant nga Gjermania.