Komuna e Kisela Vodës ka shpallur dy thirrje publike për subvencionimin e blerjes së peletave dhe sobave me pelet, duke synuar përmirësimin e efiçiencës energjetike dhe mbështetjen e familjeve.
Fondet për këtë nismë janë siguruar nga Buxheti i Komunës për vitin 2025, përmes Programit për Zhvillim Ekonomik Lokal, nën-programit për efiçiencë energjetike.
Pronarët e ndërtesave individuale banesore në territorin e komunës, të cilët nuk kanë lidhje me ngrohjen qendrore dhe nuk kanë përfituar më parë nga ky lloj subvencioni, kanë të drejtë të marrin pjesë.
Subvencioni për blerjen e peletave është 50% e vlerës, por jo më shumë se 10,000 denarë, ndërsa për blerjen e sobave me pelet rimbursohet gjithashtu 50% e vlerës, por jo më shumë se 20,000 denarë, në të dyja rastet duke përfshirë tatimin mbi të ardhurat personale.
Aplikimet dorëzohen në zarf të mbyllur përmes Arkivit të Komunës së Kisela Vodës, sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari“, deri në shterimin e fondeve ose jo më vonë se 31 tetor 2025.
Kryetari i komunës, Orce Gjorgjievski, theksoi se kjo nismë është pjesë e angazhimit për të ofruar mbështetje konkrete për familjet, për ngrohje më të lehtë dhe më të mirë të shtëpive të tyre, si dhe për mbrojtjen e mjedisit. Ai i ftoi të gjithë qytetarët që i plotësojnë kushtet të aplikojnë dhe të përfitojnë nga ky mbështetje.