Tre automjete u dogjën gjatë natës së kaluar në Manastir, duke shkaktuar shqetësime dhe duke nxitur reagime të forta politike. Incidenti, në të cilin njëri prej automjeteve i përkiste biznesmenit dhe ish-kandidatit për kryetar bashkie nga LSDM, Hristo Kondovski, po hetohet nga autoritetet kompetente.
Sipas informacioneve nga policia, të gjitha automjetet e shkrumbuara ishin në pronësi të kompanive private. Hetimet janë duke u zhvilluar në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa fatmirësisht nuk është raportuar për asnjë të lënduar.
Në njoftimin e policisë thuhet: “Janë djegur një automjet pasagjerësh ‘Toyota RAV 4’ me targa të Manastirit, në pronësi të një kompanie private dhe i përdorur nga S.K. nga Manastiri, një automjet pasagjerësh ‘Volkswagen Passat’ me targa të Tetovës, në pronësi të një kompanie private, dhe një automjet ‘Dacia Logan’ me targa të Shkupit, në pronësi të një kompanie.”
LSDM Manastir ka reaguar ashpër, duke dënuar aktin e djegies së automjetit të Kondovskit. Ata e konsiderojnë këtë akt si një përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për të minuar sigurinë e procesit zgjedhor lokal, vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
Nga partia politike u theksua se Manastiri po shndërrohet në një vend të pasigurt, dhe shtuan se me raste të tilla, e gjithë Maqedonia po kthehet në një vend frike dhe llogarish.
LSDM i kërkon qeverisë të reagojë menjëherë, dhe kërkon një hetim të shpejtë dhe efikas për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij akti vandal.