Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, mori pjesë sot në Forumin e Tretë për Diplomacinë Kulturore në Shkup, i organizuar nga Qendra Ndërkombëtare “Aleanca e Civilizimeve” dhe Instituti për Diplomacinë Kulturore nga Gjermania.
Ky forum i rëndësishëm, që mblodhi së bashku ekspertë të diplomacisë kulturore, zhvillimit të qëndrueshëm dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, synon promovimin e bashkëpunimit global dhe afirmimin e kulturës si një element kyç në ndërtimin e urave midis popujve.
Në hapjen zyrtare të forumit, fjalime mbajtën figura të shquara si Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ish-Presidenti i vendit, Dr. Gjorge Ivanov, Vaclav Klaus – ish-President i Republikës Çeke, Rexhep Meidani – ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-Ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Erkki Tuomioja, dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Republikës së Kroacisë, Miro Kovaç.
Në fjalën e tij, Ministri Mucunski theksoi se diplomacia kulturore nuk është vetëm një mjet për afirmimin e trashëgimisë kulturore kombëtare, por edhe një mjet i fuqishëm për ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe miqësisë, sidomos në kohë sfidash globale. Ai shtoi se kultura mund të jetë një fushë beteje dhe një fushë dialogu, dhe se është përgjegjësi e përbashkët të zgjedhin opsionin e dytë. Mucunski gjithashtu theksoi se idea evropiane është një e ardhme e përbashkët e ndërtuar mbi diversitetin kulturor, hapjen dhe solidaritetin.
Ish-Presidenti Ivanov vuri në dukje se ky forum mbahet në një kohë kur bota po përballet me luftëra dhe ndarje të reja, dhe kur kriza të ndryshme si siguria, mjedisi dhe shëndetësia po rrezikojnë botën. Ai theksoi nevojën për të hapur jo vetëm mendjet, por edhe ndërgjegjet, dhe për të besuar se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi bazën e dinjitetit njerëzor.
Në kuadër të forumit, Ministri Mucunski u takua edhe me ish-Presidentin Dr. Gjorge Ivanov, ku u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Qendrës Ndërkombëtare “Aleanca e Civilizimeve”. Memorandumi synon promovimin dhe pasurimin e bashkëpunimit në fushën e diplomacisë publike, zhvillimin e diplomacisë kulturore dhe afirmimin e kulturës dhe identitetit maqedonas jashtë vendit, si dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.