Shkup – Tridhjetë ditë pas tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 61 persona dhe u lënduan rëndë 200 të tjerë, LSDM akuzon për hetim selektiv dhe të drejtuar keq. Sipas zëdhënëses së LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, qëllimi i këtij hetimi është mbrojtja e zyrtarëve aktualë, punonjësve dhe eprorëve që duhet të kishin vepruar natën fatale, por nuk e bënë.
Kuzeska theksoi se nga 59 persona nën hetim, vetëm dy janë zyrtarë aktualë dhe një kryeshef që ishte në pushim. Ajo shtroi pyetjen se si është e mundur që pas nëntë muajve të qeverisjes qendrore dhe gati katër viteve të qeverisjes lokale nga VMRO-DPMNE, asnjë nga këta nuk mban përgjegjësi, ndërkohë që përgjegjës janë të gjithë punonjësit dhe zyrtarët deri në vitin 2022.
LSDM kërkon përgjegjësi për udhëheqësit aktualë të policisë, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe institucione të tjera, duke theksuar përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të tyre për ngjarjen. Kuzeska pyeti se si është e mundur që asnjë nga shtatë shefat, komandantët dhe zëvendës komandantët nga policia, të cilët sipas ligjit ishin të detyruar të parandalonin zjarrin dhe të siguronin ngjarjen atë mbrëmje, nuk janë përgjegjës.
Ajo pyeti përse në hetim nuk janë përfshirë kryetarja e Stacionit Policor të Koçanit, Marija Cvetkovska Manevska, dhe kreu i policisë kriminale në Koçan, Tomo Donev, si dhe udhëheqësit e SPB Shtip dhe policisë kriminale në Shtip. Sipas saj, juridiksionet ligjore të policisë në Koçan dhe Shtip janë të lidhura drejtpërdrejt me lëshimet e sigurisë atë mbrëmje dhe menjëherë para ngjarjes tragjike.
Kuzeska akuzoi ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për terror politik dhe persekutim për të mbrojtur të emëruarit e tij. Ajo tha se LSDM ka qenë konstruktive për 30 ditë, duke lënë hapësirë për hetimin, por tani është e qartë se ky hetim është gjithçka tjetër përveç një procedure ligjore.
LSDM kërkon dhe do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi të plotë, në të cilën askush nuk do të përjashtohet apo kursehet.