Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se marrëveshja historike për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar do të sjellë stabilitet dhe perspektivë afatgjatë për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj. Ai theksoi se ky partneritet do të sjellë përfitime të shumta në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë, infrastrukturën dhe shëndetësinë.
Mickoski e theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik, duke vënë në dukje se sa më shumë marrëveshje të tilla të ketë vendi me faktorë globalë të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja e shtetit dhe qytetarëve.
Në aspektin ekonomik, marrëveshja parashikon një kornizë prej rreth 6 miliardë eurosh (5 miliardë paund) të destinuara për projekte të ndryshme. Një pjesë e këtyre fondeve do të shfrytëzohet për rindërtimin, modernizimin dhe ndërtimin e një linje të dytë hekurudhore në Korridorin 10, në seksionin nga Tabanovci deri në Gjevgjeli.
Përveç infrastrukturës, partneriteti strategjik do të ketë ndikim të madh edhe në sektorin e shëndetësisë. Mickoski njoftoi se do të finalizohet Qendra Klinike në Shtip, së bashku me Fakultetin e Mjekësisë dhe një konvikt studentor me 200 shtretër. Gjithashtu, do të përfundohet objekti shëndetësor në Kërçovë dhe do të rindërtohet Spitali Klinik në Tetovë.
Kryeministri theksoi se nëse gjithçka shkon sipas planit, është e mundur që në të ardhmen e afërt të ndërtohet edhe qendra e madhe klinike në Shkup. Ai u shpreh i bindur se Maqedonia e Veriut është në prag të një periudhe transformuese dhe se këto projekte synojnë të shtojnë vlerë jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, por edhe në ekonominë e vendit në përgjithësi.
Në ditët në vijim, pritet që një delegacion i lartë qeveritar të vizitojë Londrën për të nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen me homologët e tyre britanikë. Mickoski e quajti këtë partneritet si një hap të rëndësishëm përpara dhe shprehu besimin se do të sjellë vetëm të mira për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.