Shkup – Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” po ndërmerr masa intensive për të parandaluar përsëritjen e zjarreve katastrofike të verës së kaluar, duke pastruar zonat pyjore dhe duke instaluar unaza mbrojtëse me makineri. Kjo nismë vjen si përgjigje ndaj dëmeve të mëdha të shkaktuara nga zjarret, ku u dogjën mijëra hektarë pyje dhe u shkatërruan habitatet e kafshëve të egra dhe shpendëve.
Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret Pyjore (Copernicus), gjatë vitit të kaluar në vend u dogjën mbi 94,000 hektarë sipërfaqe.
Zëvendësdrejtori i ndërmarrjes, Kire Mihailov, thekson se kjo praktikë ka dhënë tashmë rezultate pozitive. “Vitin e kaluar, duke instaluar unaza mbrojtëse, arritëm të parandalojmë djegien e plotë të disa fshatrave nën Malin e Sertës,” tha Mihailov.
Aktualisht, po punohet për pastrimin e rrugëve ekzistuese pyjore, rehabilitimin e tyre, si dhe hapjen e rrugëve të reja hyrëse në zonat e rrezikuara. “Kjo nënkupton krijimin e unazave mbrojtëse për t’u mbrojtur nga zjarret potenciale,” shton Mihailov.
Paralelisht, po punohet për zhvillimin e një Strategjie Kombëtare për Mbrojtjen nga Zjarri, përmes grupeve punuese qeveritare. Mihailov pranon se deri më tani asnjë institucion në vend nuk ka qenë plotësisht i përgatitur për t’u përballur me zjarret.
“Strategjia do të parashikojë blerjen e pajisjeve dhe automjeteve të reja, sepse situata është alarmante – njerëzit tanë vitin e kaluar shuanin zjarret fjalë për fjalë me shapka, pa pajisje adekuate, pa mbulim të ofruar shëndetësor,” theksoi ai.