Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të fundit publik të Kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e akuzuar atë për retorikë të rrezikshme dhe diskriminuese ndaj komunitetit shqiptar. Sipas BDI-së, Mickoski po përdor gjuhë që përçan shoqërinë dhe poshtëron shqiptarët, duke përcaktuar se kush është “i pranueshëm” dhe kush jo.
BDI e ka krahasuar retorikën e Mickoskit me politikat e errëta të Millosheviçit nga vitet ’90. Ata theksuan se në vend që të fokusohej në reforma, ekonomi dhe integrim evropian, Mickoski po vazhdon me një agjendë nacionaliste që synon krijimin e shqiptarëve të nënshtruar, të bindur dhe të heshtur.
Partia ka paralajmëruar se kjo qasje jo vetëm që është e dëmshme, por tashmë po prodhon efektin e kundërt – unifikimin politik të shqiptarëve, pavarësisht dallimeve partiake, për të mbrojtur dinjitetin dhe autonominë politike të komunitetit të tyre.
BDI u ka bërë thirrje atyre që kanë mbetur nga VLEN dhe që janë ende në detyrë falë Mickoskit që të pyesin veten nëse duan të jenë bashkëpunëtorë në këtë politikë të ndarjes.
Partia e ka përfunduar deklaratën e saj duke i dërguar një mesazh qeverisë se qytetarët po zgjohen dhe janë gati të shprehin pikëpamjet e tyre në zgjedhjet e ardhshme, cilatdo qofshin ato.