Një 27-vjeçar nga fshati Jankovec i Resnjës është arrestuar nga policia pasi është kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe pa patentë shoferi.
Ngjarja ka ndodhur më 18 maj 2025, në orën 02:18 pas mesnate, kur oficerë policie nga Stacioni Policor i Resnjës kanë kryer kontroll trafiku në fshatin Jankovec dhe kanë ndaluar një automjet pasagjerësh “Mercedes” me targa të Shkupit. Gjatë kontrollit, është konstatuar se drejtuesi i automjetit, i identifikuar si D.K. (27), ishte nën ndikimin e alkoolit dhe nuk posedonte patentë shoferi.
Personit i është konstatuar një nivel alkooli në gjak prej 2.38 promilë, gjë që paraqet rrezik serioz për sigurinë e trafikut. Ai është larguar menjëherë nga trafiku dhe është dërguar në stacionin policor.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personit do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 297-a të Kodit Penal – “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”.