Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka shpjeguar arsyet e dorëheqjes së tij nga qeveria, duke theksuar mungesën e koordinimit midis partive shqiptare në koalicionin qeverisës dhe shpërfilljen e Vredi. Paralelisht, lideri i DUI-t, Ali Ahmeti, ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski për rrezikim të paqes dhe stabilitetit të vendit.
Taravari deklaroi se Aleanca për Shqiptarët nuk është mësuar të jetë vetëm dekor dhe se kjo ishte arsyeja pse ata vendosën të shkojnë në opozitë. Ai theksoi rëndësinë e mobilizimit dhe fitores në zgjedhjet lokale të tetorit.
Ai vuri në dukje se pavarësisht se katër parti shqiptare ishin pjesë e një qeverie për herë të parë, kishte pasur diskordinime serioze në muajt e fundit, të cilat, sipas tij, u shfrytëzuan nga partia më e madhe maqedonase.
Ahmeti, nga ana tjetër, paralajmëroi Mickoskin për ndryshimet e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ai theksoi se shqiptarët janë mbi 30% dhe janë pjesë e pandashme e shtetësisë.
Ndërkohë, tensionet politike janë në rritje dhe ka zëra se disa nga deputetët e Frontit Europian po kalojnë te Vredi. Zv. Kryeministri Izet Mexhiti deklaroi se të paktën katër deputetë do t’i bashkohen grupit të ri.
Koalicioni Vredi lëshoi një deklaratë duke pretenduar se DUI po shkon drejt një humbjeje politike dhe se përdorimi i Taravarit është vetëm një përpjekje për të krijuar tymnajë dhe për të fshehur rënien e DUI-t.
Grupi i ri parlamentar i Vredi, i formuar dy ditë më parë, aktualisht ka 9 deputetë, dhe koordinatori i ri është Bekim Qoku. Përveç kësaj, është shpallur një grup i veçantë parlamentar nga krahu i Taravarit në Aleancë, i cili, sipas njoftimeve, do të ketë 5 deputetë dhe do të paraqesë një kërkesë në Kuvend javën e ardhshme.