Daily Events News Network_Site Logo_Original Size_2025

Ngjarjet ditore nga Maqedonia e Veriut

Lajmet më të fundit nga Maqedonia e Veriut në Shqip


VMRO-DPMNE reagoi ashpër ndaj vendimit gjyqësor për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë

VMRO-DPMNE e ka cilësuar si të turpshme dhe të motivuar politikisht vendimin gjyqësor për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, ku 14 persona humbën jetën në shtator të vitit 2021. Sipas partisë, dënimi me burg prej një viti e gjashtë muaj për ish-drejtorët e spitalit të Tetovës, si dhe gjoba prej rreth 16 mijë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, nuk pasqyrojnë peshën e tragjedisë.

Nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar se ky vendim nuk është në shërbim të drejtësisë, por vetëm në shërbim të Venko Filipçes dhe Ali Ahmetit. Ata besojnë se sistemi gjyqësor është nën ndikimin e plotë të partive në pushtet.

Partia ka kërkuar që institucionet të nisin procedurë për shkarkimin e të gjithë atyre që ishin të përfshirë në marrjen e vendimit. Sipas tyre, duhet të nisin procedurë për shkarkimin e gjyqtarëve që morën vendimin e turpshëm, si dhe Zyra e të Hyrave Publike të hetojë origjinën e pasurisë së gjyqtarit që e mori këtë vendim.

VMRO-DPMNE ka drejtuar fjalë të ashpra edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, për të cilin pretendojnë se “me vetëdije dhe me urdhër të Zaevit, Angjushevit dhe Ahmetit, e mori përsipër tenderin për ndërtimin e spitaleve modulare nga vetëqeverisja lokale”.

Partia ka theksuar se do të mbështesë çdo formë revolte dhe pakënaqësie ndaj këtij vendimi dhe ka shtuar se “duhet të ketë ligj, sundim të ligjit dhe përgjegjësi”.