Ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës janë dënuar me dënime të ulëta nga gjykata për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona. Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe politik.
Florin Besimi, ish-drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës, dhe Artan Etemi, drejtori ekonomik i spitalit, janë dënuar me një vit e gjashtë muaj burg efektiv.
Subjekti juridik, Spitali Klinik i Tetovës, u shpall fajtor dhe u urdhërua të paguajë rreth 16 mijë euro.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, i cilësoi dënimet si të ulëta, të turpshme dhe larg ligjit dhe drejtësisë, duke theksuar se ato nuk pasqyrojnë seriozitetin e rastit tragjik ku 14 persona humbën jetën në shtator të vitit 2021.
Petrushevski bëri thirrje për reforma të menjëhershme dhe urgjente në sistemin gjyqësor. Ai theksoi se vendimi është një shembull klasik i ndikimit të SDS dhe DUI në sistemin gjyqësor, duke sugjeruar se gjyqtarët veprojnë sipas vullnetit të partive politike dhe jo sipas normave ligjore.
Petrushevski u bëri thirrje autoriteteve të nisin procedurat për shkarkimin e atyre që janë të përfshirë në marrjen e këtij vendimi të turpshëm për spitalin modular në Tetovë. Ai gjithashtu i bëri thirrje Zyrës së të Ardhurave Publike të hetojë origjinën e pronës së gjyqtarit që mori këtë vendim.
Petrushevski u bëri thirrje Filipçes dhe Ahmetit të deklarojnë pse, siç tha ai, po luajnë me fatin e qytetarëve. Ai deklaroi se VMRO-DPMNE do të mbështesë çdo shprehje pakënaqësie me vendimin.