Goran Tonev, kitaristi i njohur i grupit DNA, ka thënë fjalët e para pas dy muajsh trajtim në Selanik, pas tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan. Ai shprehu mirënjohje për shërimin dhe dhimbje për humbjen e jetëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Tonev falënderoi Zotin për shansin e dytë, personelin e spitalit “Papanikolaou” në Selanik për kujdesin e jashtëzakonshëm, si dhe stafin mjekësor në Koçan dhe Shkup. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje të gjithë të afërmve dhe miqve që u lutën për të.
“E falënderoj Zotin që më dha një shans të dytë, i falënderoj të gjithë stafin në spitalin ‘Papanikolaou’ – Selanik për kujdesin dhe vëmendjen e pamasë që më treguan. Dua të falënderoj edhe stafin në Koçan dhe Shkup. Shumë faleminderit të gjithë të afërmve dhe miqve të mi që u lutën për mua,” shkroi Tonev.
Pavarësisht gëzimit për shërimin, Tonev shprehu trishtim për humbjen e jetëve të të rinjve, veçanërisht të kolegëve dhe miqve të tij. Ai u shprehu ngushëllime të gjitha familjeve të viktimave.