Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar qeverinë e Maqedonisë së Veriut për diskriminim të qëllimshëm ndaj shqiptarëve, duke theksuar se Arkivi Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka punësuar këtë javë 14 punonjës të rinj, të gjithë maqedonas, dhe asnjë shqiptar.
Sipas BDI-së, ky disbalanc i dukshëm nuk është i rastësishëm, por një simptomë e një fenomeni më të gjerë dhe shqetësues – përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet shtetërore.
Partia thekson se për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, asnjë nga pozitat drejtuese – as drejtori, as zëvendësi – nuk i takon një përfaqësuesi të komunitetit shqiptar.
BDI e konsideron këtë si një transformim të plotë të një prej institucioneve kryesore për kujtesën dhe identitetin e shtetit në një bastion mono-etnik.
Sipas tyre, kjo po ndodh në një kohë kur institucionet po sulmohen sistematikisht në aspektin e përfaqësimit multi-etnik.
BDI thekson se në vend të nxitjes së bashkëjetesës dhe barazisë, po dëshmojnë një eliminim të planifikuar të shqiptarëve nga sektori publik.
Sipas BDI-së, kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e anulimit të balancuesit – mekanizmit që siguronte përfaqësim të drejtë etnik në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Pa këtë instrument, sipas BDI-së, shanset për përfaqësim të drejtë zhduken dhe institucionet shtetërore ngjajnë gjithnjë e më shumë me institucionet mono-etnike nga një kohë tjetër.
BDI gjithashtu kritikon mbetjet e VLEN-it, nëntë deputetët shqiptarë që mbështesin këtë qeveri, për mosreagim ndaj këtij fshirje masive të shqiptarëve nga administrata publike. Sipas tyre, heshtja e tyre i bën ata bashkëpunëtorë në këtë diskriminim sistematik dhe shkatërrim të bashkëjetesës.
BDI apelon tek të gjithë ata që besojnë në një Maqedoni të Veriut evropiane, të drejtë dhe multi-etnike të distancohen nga kjo qeveri shkatërruese, duke theksuar se heshtja sot do të thotë bashkëpunim nesër.