Komuna e Kisella Vodës po zhvillon një aksion të gjerë për të pastruar barërat e këqija në zonat publike në të gjithë territorin e saj. Kjo nismë, e cila përfshin të gjithë punëtorët sezonalë, synon mirëmbajtjen e plotë të hapësirave të gjelbra duke përdorur makineri prerëse.
Sipas njoftimeve nga Komuna, sot po punohet në pistën e trimit, e cila frekuentohet dendur nga qytetarët për rekreacion dhe shëtitje, si dhe në parqe dhe lulishte më të mëdha. Paralelisht me kositjen, pista e trimit po lahet me një automjet të posaçëm për të ruajtur higjienën dhe për të ofruar një ambient më komod për qytetarët.
Komuna njoftoi se ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë të gjitha bashkësitë lokale dhe urbane. Kjo është një aktivitet i rregullt që intensifikohet sa herë që kushtet e motit shkaktojnë rritje të shpejtë të bimësisë.
Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, deklaroi se hapësirat e gjelbra dhe të pastra nuk janë vetëm një element estetik, por edhe një pjesë thelbësore e një mjedisi të shëndetshëm dhe cilësor. “Prandaj, ne po bëjmë përpjekje maksimale për të mirëmbajtur rregullisht dhe plotësisht parqet, lulishtet dhe shtigjet e rekreacionit, si dhe të gjitha hapësirat e tjera publike,” tha Gjorgjievski. Ai shtoi se aksione të tilla në shkallë të gjerë, që përfshijnë një numër të madh punëtorësh sezonalë, do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.