SHKUP – Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) ka shprehur zhgënjimin e thellë me vendimin e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të koalicionit për të mos lejuar që ligji për mbështetje financiare për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve nga tragjedia në Koçan të jetë në rendin e ditës në Kuvend.
Sipas LSDM-së, ky ligj është pa sfond politik dhe ka një qëllim të vetëm: të ndihmojë familjet që humbën më shumë, që humbën gjithçka, si dhe të ndihmojë të lënduarit.
LSDM e konsideron këtë si një akt të humanizmit bazik, përgjegjësisë dhe moralit. Ata theksuan se VMRO-DPMNE duhet të kishte treguar përgjegjësi dhe pjekuri dhe jo vetëm të qëndronte në inat politik. Sipas tyre, duhet të qëndrojmë së bashku pas asaj që është e mirë pa llogaritje politike, sinqerisht dhe mirëdashësisht.
Partia shtoi se për Koçanin duhet të ketë drejtësi, përgjegjësi, por edhe mbështetje dhe ndihmë të fortë për ata që kanë nevojë.
“Kjo nuk është çështje e dallimeve partiake, kjo është çështje e ndërgjegjes, humanizmit, solidaritetit dhe kujdesit për qytetarët tanë”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.
LSDM thotë se që nga dita e parë pas tragjedisë është sjellë me respekt, simpati dhe përgjegjësi të plotë për familjet e të vdekurve dhe të lënduarve.
“Ne e vendosim vuajtjen e qytetarëve tanë mbi politikën. Do të vazhdojmë të luftojmë për vlera të vërteta, për ndihmë dhe mbështetje dhe do të qëndrojmë pas qytetarëve tanë”, përfundon deklarata.