Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur pakënaqësinë e thellë për atë që e cilëson si mungesë të vëmendjes nga qeveria, presidenti dhe lidershipi politik në përgjithësi ndaj pjesëmarrjes së shqiptarëve në poste të larta shtetërore. Kjo deklaratë vjen në prag të votimit të 21 majit për Guvernatorin e ri të Bankës Kombëtare të Maqedonisë.
Sipas BDI-së, askush nuk e përmend mundësinë e zgjedhjes së një shqiptari në këtë post, duke lënë të kuptohet se pozicioni është i rezervuar për maqedonas etnikë.
Lista e ngushtë e kandidatëve për Guvernator, ku nuk përfshihet asnjë shqiptar, është e papranueshme për BDI-në. Sipas tyre, kjo listë nuk e pasqyron karakterin multietnik të shtetit.
BDI thekson se, edhe pse procedura ligjore dhe kushtetuese për zgjedhjen e Guvernatorit kalon përmes Presidentit dhe Parlamentit, përfaqësuesit politikë shqiptarë në shumicën parlamentare duhet të kishin siguruar pjesëmarrjen e të paktën një eksperti shqiptar në listën e ngushtë.
BDI e cilëson “shije të hidhur” për shqiptarët sjelljen e Kryeministrit, i cili sipas tyre, ka krijuar ambiente etnike vetëm rreth tij, duke filluar nga kabineti e deri tek stafi më i afërt. BDI shton se tani, duket se shqiptarët nuk lejohen as të pyesin për pozicione të tilla të larta shtetërore.
BDI i bën thirrje Presidentit që, brenda mundësive të saj, të tregojë më shumë besnikëri ndaj dispozitave kushtetuese që përcaktojnë karakterin multietnik të shtetit, sesa ndaj kërkesave të Qeverisë.
BDI kujton se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike dhe se Shteti ka për detyrë të kujdeset për shpërndarjen dhe pjesëmarrjen e duhur të të gjitha komuniteteve etnike në jetën shoqërore.