Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti sot Karen Pierce, të Dërguarën Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar vizitën e saj si një tregues të qartë të interesit dhe angazhimit britanik për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, vlerësimi i progresit duhet të jetë meritokratik, duke u fokusuar në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit. Ajo theksoi natyrën shkatërruese të dypalëshmërisë së procesit të negociatave nën kërcënimin e vetos.
Presidentja Siljanovska-Davkova informoi të dërguarën Pierce për ngopjen dhe lodhjen e qytetarëve të Maqedonisë nga precedentët e shumtë, bllokadat dhe standardet e dyfishta. Ajo theksoi se mohimi i identitetit kombëtar dhe kulturor, si dhe mosrespektimi i dinjitetit dhe integritetit të qytetarëve maqedonas, janë në kundërshtim me vlerat dhe parimet themelore evropiane.
Presidentja sheh një tejkalim të mundshëm të bllokadës në një interpretim krijues të Kornizës së Negociatave dhe kompetencës së Komisionit të Përbashkët për çështjet historike dhe arsimore.
E dërguara Speciale Karen Pierce shprehu mirëkuptim për nevojën për të kapërcyer bllokadën maqedonase të Euro-integrimit.
Bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin britaniko-maqedonas si të suksesshëm, duke shprehur gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e tij.
Të dy palët presin përfitime të rëndësishme për rajonin nga Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit në Londër.