Yjet e Kuq të Beogradit triumfuan me rezultat 3-1 ndaj Vardarit në Shkup në një ndeshje humanitare, e cila kishte si qëllim mbledhjen e fondeve për familjet e viktimave të zjarrit tragjik në Koçan. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të ngarkuar emocionalisht, duke shënuar vizitën e parë të Yjeve të Kuq në Shkup pas tre dekadash.
Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave do t’u dhurohen familjeve të prekura nga zjarri shkatërrues në një disko në Koçan, ku humbën jetën 61 persona dhe u plagosën rreth 200 të tjerë, kryesisht adoleshentë.
Vardari fillimisht kaloi në epërsi në minutën e 27-të me anë të Manevskit, i cili pas një aksioni individual mposhti portierin Glazer. Manevski hoqi fanellën dhe shpërtheu në lot, duke zbuluar një bluzë me emrin e Andrej Lazarov, futbollistit të Shkupit, i cili humbi jetën në disko në natën fatale.
Megjithatë, Yjet e Kuq arritën të përmbysnin rezultatin deri në fund të pjesës së parë, duke shënuar gola në minutat e 41-të dhe 44-t pas aksioneve të bukura nga Iliç dhe kapiteni Katai.
Rezultatin final e vulosi Uroš Sremçeviç në minutën e 87-të, duke i dhënë fitoren ekipit nga Beogradi. Ndeshja kishte një karakter të veçantë humanitar dhe emocionues, duke bashkuar tifozët në mbështetje të familjeve të prekura nga tragjedia në Koçan.