Shkup – Ministri i Punëve Evropiane, Orhan Murtezani, zhvilloi një takim me përfaqësues të Agjencisë Evropiane të Drogave (EUDA), duke diskutuar thellimin e bashkëpunimit institucional dhe harmonizimin me standardet evropiane në luftën kundër trafikimit të drogës.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e shkëmbimit të informacioneve në kohë reale përmes sistemit evropian të paralajmërimit të hershëm. U diskutua gjithashtu roli i vendeve kandidate për anëtarësim në BE në përpjekjet e përbashkëta për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të forcuar sigurinë në rajon dhe në Bashkimin Evropian.
Palët theksuan nevojën për të forcuar kapacitetet e institucioneve kombëtare, si dhe rëndësinë e një sistemi funksional për paralajmërim të hershëm dhe monitorim, në përputhje me praktikat evropiane. Ata riafirmuan angazhimin e përbashkët ndaj vlerave evropiane, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit teknik dhe ekspert mes Maqedonisë së Veriut dhe EUDA, si pjesë e procesit më të gjerë të integrimit evropian.