Komuna e Gjorçe Petrov ka filluar një fushatë pranverore për grumbullimin falas të mbetjeve të mëdha, e cila do të zgjasë nga 14 maji deri më 21 maj. Qëllimi i kësaj iniciative është përmirësimi i higjienës në zonat e banuara dhe largimi i artikujve të vjetër dhe të padobishëm nga oborret dhe rrugët.
Shërbimi falas është i dedikuar për eliminimin e mbetjeve të mëdha siç janë mobiljet e vjetra, pajisjet elektrike dhe mbetje të tjera që nuk duhet të hidhen në kontejnerët e zakonshëm.
Janë vendosur gjithsej pesë lokacione fikse me kontejnerë: në Hrom Poljana, afër Koço Raçin në lagjen Makedonska Vojska, në bashkësinë lokale në Dame Gruev, në Aleksandria, afër “Petka” e vjetër – Mirçe Acev, dhe në stacionin e fundit 5ka në lagjen Deksion. Në këto lokacione do të jetë i pranishëm një kamion me kapacitet prej 18 metra kub.
Përveç lokacioneve fikse, kamionë të punësuar posaçërisht do të qarkullojnë çdo orë gjatë fushatës në disa pika në pjesët urbane dhe rurale të komunës.
Në zonën urbane, pikat e grumbullimit do të jenë: përballë hyrjes së Sante Plus, rruga Alekso Demnievski (nr. 27 dhe transformatori në nr. 1), rruga Hristo Batandjiev (përballë këndit të lojërave për fëmijë), te kalata e Vardarit (në fund të rrugës Kiçevska dhe Rafael Batino), parkingu në KAM – Dame Gruev, dhe këndi i lojërave i ish-“22-ka” në Dame Gruev.
Në zonën rurale, kamionët do të kalojnë në: Novo Selo (afër transformatorit pas bashkësisë lokale), oborri ekonomik (përballë dyqanit Blaga Voda), Kisela Jabuka (kryqëzimi i rrugës 84 dhe rrugës 46), Volkovo (në rrethrrotullim dhe te Dan Dar), dhe Kuçkovo, Orman dhe Nikishtani (në mes të fshatit).
Komuna thekson se lokacionet janë të përcaktuara me saktësi dhe synimi është që çdo banor të ketë qasje të shpejtë dhe të lehtë në shërbim.
Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të përfitojnë nga kjo mundësi, por edhe të jenë të ndërgjegjshëm – mbetjet e mëdha duhet të lihen ekskluzivisht në vendet e shënuara dhe brenda periudhës së parashikuar, në mënyrë që të parandalohet hedhja e parregullt dhe ndotja e zonave publike.