Debar – Gjatë një kontrolli të shtuar në zonën kufitare me Shqipërinë dhe në brezin pyjor mbi disa fshatra të Debarit, policia ka zbuluar një sasi të konsiderueshme druri të prerë në mënyrë të paligjshme.
Policia nga Qendra Rajonale për Punë Kufitare Perëndim ka kryer kontrolle të shtuara në zonën kufitare me Republikën e Shqipërisë dhe në brezin pyjor mbi fshatrat e Debarit.
Aksioni rezultoi me gjetjen e 22 metra kub dru zjarri ahu në dy kamionë dhe rreth 200 metra kub dru ahu të prerë, gati për ngarkim dhe transport.
Sipas informacioneve, pranë fshatit Drenok, u gjetën dy automjete mallrash me gjithsej 22 metra kub dru zjarri ahu, një makinë pune për hapjen e rrugëve pyjore, si dhe rreth 200 metra kub dru ahu të prerë, të përgatitur për ngarkim dhe transport, pa dokumentacionin e nevojshëm.
Autoritetet po hetojnë ngjarjen në bashkëpunim me prokurorin publik, Ndërmarrjen Publike “Pyjet Kombëtare,” Policinë Pyjore dhe inspektoriatin kompetent.
Pas përfundimit të hetimeve dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale “shkatërrim pyjesh.”