Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Ushtri, duke theksuar degradimin dhe përjashtimin e anëtarëve të komunitetit shqiptar nga pozitat drejtuese.
Sipas BDI-së, rasti i fundit i largimit të të gjithë zëvendësshefave shqiptarë dhe emërimi i të afërmve të Kryetarit të Komunës në Stacionin Policor në Butel paraqet jo vetëm skandal institucional, por edhe sinjal të rrezikshëm për rikthimin e ekskluzivitetit dhe diskriminimit në sektorin më të ndjeshëm – sigurinë.
BDI thekson se kjo po ndodh pikërisht në Butel, një nga komunat më të theksuara multietnike në kryeqytet, ku shqiptarët përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
Emërimet monoetnike dhe partiake në strukturat e sigurisë, si dhe degradimet poshtëruese të personelit policor profesionist të etnisë shqiptare, minojnë parimin e gjithëpërfshirjes, një shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit.
BDI thekson se prania dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në polici dhe ushtri ishin parakushte për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas vitit 2001.
BDI i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht garantuesve të Marrëveshjes së Ohrit, që të reagojnë menjëherë dhe në mënyrë të qartë.
BDI potencon se sektori i sigurisë nuk duhet të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik dhe se kjo nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme të personelit, por çështje e stabilitetit, besimit dhe ardhmërisë së shtetit të përbashkët.