Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i emëruar i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abdullah Ali Atek Obaid Alsubusi, me seli në Romë. Gjatë ceremonisë, u theksua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ambasadori Alsubusi përcjelli përshëndetjet nga Presidenti i EBA-së, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe shprehu angazhimin e tij për të mbajtur marrëdhënie të mira politike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin në fusha të tjera të interesit të përbashkët.
Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se ky akt shënon fillimin e një kapitulli të ri në forcimin e marrëdhënieve miqësore që dy vendet kanë kultivuar për tre dekada. Ajo shprehu interes për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe investues, duke theksuar mundësitë që Qeveria e Maqedonisë ofron për investitorët e huaj.
Presidentja dhe ambasadori u pajtuan se hapja e një ambasade të Emirateve në vendin tonë do të përmirësonte institucionalisht mjedisin për bashkëpunim.
Gjithashtu, u diskutua bashkëpunimi në arsim, shkencë, kulturë, shëndetësi, turizëm dhe bujqësi, si dhe kontaktet midis komuniteteve të biznesit dhe dhomave të tregtisë.
Duke folur për shkëmbimin e ndërsjellë tregtar dhe investimet e drejtpërdrejta të Emirateve, të cilat në vitin 2023 arritën në 3.11 milionë dollarë, Siljanovska-Davkova tha se marrëdhëniet ekonomike nuk korrespondojnë me marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe se të dy vendet duhet të punojnë për harmonizimin e tyre.
Presidentja Siljanovska-Davkova i uroi ambasadorit sukses në kryerjen e detyrës së tij të rëndësishme dhe e ftoi Presidentin e Emirateve dhe sundimtarin e Abu Dhabit, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, për një vizitë në vend.