Prokuroria Themelore Publike e Kërçovës ka nisur një hetim kundër një banori të Kërçovës, i cili dyshohet për vrasje dhe tentativë vrasje.
Ngjarja tragjike ndodhi sot në orët e para të mëngjesit në fshatin Sërbjanë, ku i dyshuari 47-vjeçar, gjatë një konflikti familjar, dyshohet se ka vrarë babain e tij dhe ka tentuar të vrasë nënën.
Sipas informacioneve nga Prokuroria, gjithçka nisi me një mosmarrëveshje verbale në oborrin e shtëpisë familjare. I dyshuari fillimisht sulmoi babain e tij me një thikë dhe një sëpatë, duke e goditur në trup dhe në kokë me sëpatë. Më pas, ai goditi nënën e tij me thikë në qafë.
Babai i tij, i cili kishte marrë lëndime të shumta, ndërroi jetë gjatë dhënies së ndihmës së parë. Nëna e tij u transferua menjëherë në Qendrën Emergjente në Shkup, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Prokurori publik ka paraqitur një propozim në Gjykatën Themelore në Kërçovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
I dyshuari është arrestuar pasi ai vetë ka raportuar në Shërbimin Emergjent Mjekësor se kishte sulmuar prindërit e tij.